"Bilbili" i Vlorës dhe i gjithë Shqiptarisë.

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Në bahçe me portokalle/ hyn e del o moj një sorkadhe/  dil moj nënë dil, dil se kush po
vjen/ po na vjen bandilli/ zemrën na i rrëmben.../
Sa herë e kishim dëgjuar në radio këtë këngë të bukur në atë kohë të largët, në mesin
e viteve 60-të!
Sa shpejt u popullarizua ajo këngë; nuk kishte familje shqiptare që në gëzimet e
ndryshme familjare të mos e këndonte atë këngë.
Cila ishte ajo vajzë me atë zë kaq të bukur dhe melodioz, me atë zë të fuqishëm dhe
timbrik?! Shumë dashamirës të këngës e dëshironin ta njihnin atë këngëtare që shumë
shpejt ishte futur në çdo shtëpi shqiptare. Televizorët në atë kohë, pothuajse nuk
njiheshin fare.
Atë fat, për ta parë këngëtaren simpatike të re në moshë, me zërin si bilbil dhe kanarinë
e pati populli i Vlorës, nga gjiri i të cilit doli ajo.
Skenës së  Estradës të qytetit Vlorë iu shtua edhe
këngëtarja 16 vjeçare Kleopatra, që do njihte vetëm
suksese dhe vlerësime me çmime të ndryshme.
Suksesi i erdhi i menjëhershëm. Po me këngën "Në
bahçe me portokalle" në vitin 1966 këngëtarja
Kleopatra Skarço do rrëmbente çmimin e parë në
festivalin kombetar të ansambleve artistike.
Emri i saj shumë shpejt u bë i njohur anembanë
Shqipërisë. Emri dhe zëri i saj nuk mund t'i shpëtonte
edhe organizatorëve të festivalit të këngës në radio.
Në Festivalin e 6-të të Këngës në Radio (Dhjetor 1967) Kleopatra do të
paraqitej në atë festival me këngën "Festë në Malësi", kompozuar nga
Nexhmedin Doko dhe fituese e çmimit të dytë: /Na u mbush shtëpia, plot miq
edhe shokë/ sot ka festë Malësia/ gëzojm' të gjith' tok'/ ja tata krenohet, po qesh
Lokja nanë/ se Mrika e kreu shkollën në Tiranë.../
Edhe pse juria e festivalit e vlerësoi atë këngë me çmimin e dytë, ajo u pëlqye
dhe u popullarizua shumë. Në ato vite, drejtuesja e emisionit "Radioposta"
njëherë tha: "Për këngën "Festë në Malësi" na kanë ardhur 104 kërkesa. Në
pamundësi për t'i përmendur, me kënaqësi po e transmetojmë këngën"
Përveç se këngëtare në Estradën e qytetit Vlorë, Kleopatra Skarços iu hap
rruga për të qenë pjesëmarrëse në festivalet e këngës në radiotelevizione.
Një vit më vonë, ajo u paraqit në festival me këngën: "Festa e dritave", dubluar
nga këngëtari Vladimir Muzha: /Lëvizin çelsat fshatit trak e trak, mbrëmjeve/ Si
grumbuj yjesh llampat ndrisin prap, maleve/ Në gjithë këto drita vallja hidhet sot,
plot gëzim/ kjo mbrëmje e bukur duket kaq e bardh', si agim/ ushto fuqishëm
këngë e dritës, kënga jonë e re/ dhe kullat dridhen nga ky gaz që ndjejmë ne.../
Në festivalin e 8-të të këngës në RTVSH Kleopatra këndoi këngën: "Brigjeve të
Drinit"   /Ç'jan' gjith' k'to krisma maleve, përse bjen daullja o shokë/ populli në
dorë mban flamurë, ku janë nisur vallë, ku po shkojnë?.../
Në fest. e 9-të të Këngës në Radiotelevizion, Kleopatra Skarço këndoi këngën
"Nënë dhe shoqe", kompozuar nga Tahsim Hoshafi: /Nënë e dashur nënë/
lumtur ti më do/ shoqja ime e mirë ti je/ rrugëve të jetës pranë të kam kudo/
shoqja ime e mirë ti je/ ti një ditë na pe të dy ne krah për krah'/ një ditë në
lulishte përsëri na pe/ diçka të më thoshje unë e prisja/ por ti për çudi, gjë s'më
the../
Në festivalin e 10-të të këngës këndoi dy këngë: "Ne të dy" kompozuar nga Agim
Krajka dhe kënduar në duet me Nevruz Yzeirin dhe e dubluar kjo këngë nga
dueti Justina Aliaj dhe Sherif Merdani, / Në vallzim një nate t'shtunë/ syt' e tu tek
mua mbenë/ doja tok të loznim shumë/ por nuk munda veç njëherë/ drejtim jush
kush të marri/ bashk' me ta vij dhe un'/ n'atletik un' i pari/ po për tek ty arij në
fund/... si edhe me këngën tjetër "Mes dritash" kompozuar nga Kastriot Gjini dhe
e dubluar nga Nevruz Yzeiri. / Erdha sot, siç vij gjithmonë/ tek reklama unë të
pres ty/ si gjithmonë takimi jonë/ në mes tyre ne të dy/ ku ka drit', ku ka zhurm'/
edhe njerëz gjen kudo, aty pres unë një djal' flokverdhë/ tek reklama përherë
më i bukur ai vjen, kur mbrëmja zbret/ interesant, sot dukesh ti/ mes dritash
ndizet dhe një neon/ janë syt' e tu, plot kaltërsi/ nga drit' e tyre gjithçka ndiçon.../
 Të dyja këto këngë u vlerësua me çmimin e dytë.
Pas pjesëmarrjes disa herë rresht në festivalet kombëtare të këngës së muzikës
së lehtë dhe atyre popullore me ansamblet artistike, Skarço do të pranohej
këngëtare profesioniste e qytetit Vlorë.
Në ato vitet e saja tepër të sukseshme, veçoj, turneun e gjatë e të suksesshëm
dy muaj e gjysëm në Kinë, ku midis artistëve të tjerë shqiptarë, shkëlqeu edhe
Kleopatra. Një turne dhe një sukses i paparë ndonjëherë.
Në Festivalin e 12-të të këngës në RTVSH, që do të ishte edhe festivali i fundit
që ajo do të merrte pjesë në festivalet e muzikës së lehtë shqiptare, Kleopatra
këndoi përsëri dy këngë: "Të dua bregdeti im i kaltër", kompozuar nga Nikollaq
Bulo dhe dubluar nga Valentina Gjoni: /Sot vrulli s'mbaron/ bregdeti faqen po
ndrron/ ngado portokaj, deti qelq e vjeshta maj/ të rinjtë ndërtojnë brezare/
bregu ngado gjelbëron/ kësaj toke kaq të lashtë, i falim ne sot gëzim.../ si dhe
me këngën "Kënga e lumenjve" kompozuar nga Tish Daia dhe dubluar nga
Hëna Xhemali: /...O lumenj, Hej hej, ujvarat shkumëzojnë me hare/ në Fierz' në
Vah të dejës, në Ulzë edhe shkopet.../
Kleopatra Skarço u shkëput nga festivalet e këngës së lehtë shqiptare, por jo
nga muzika, për të cilën ajo kishte lindur për ta kënduar dhe, që pa të, nuk
mund të jetonte dot.
Me Estradën e Vlorës dhe me Grupin "Labëria" ajo do të shpaloste me mjeshtëri
këngët e bukura e të pavdekshme qytetare vlonjate: Esmerkë moj esmerkë/
esmerkë moj lezet me kripë/ pa dil pak, o pa dil pak, o pa dil pak moj të shoh një
çikë.../   
/ O dola sonte që pa gëdhirë/ yjet ndrijnë mbi lëndinë/ bëra tutje monopatit/ pa u
trembën qingjat e shpatit/ dola moj dola/ atje moj lart në male/ o sa bukur
tingëllon/ o curla dyare.
/Nënë portokalle moj, të ndala un' ty/ lulet e limonit moj, të binin në sy/ ngrije
kokën lart moj/ se më morri malli/ vinte gusha jote moj/ aromë portokalli/...
/ Do këndoj, o si bilbili/ shtruar-o, do marr një valle/ e ju shokë, a më njihni// jam
shqiponjë e tokës labe.../ së bashku me këngëtaren tjetër të mirënjohur meliha
Doda.
..................

Erdhi një kohë, mëse normale, që bilbili vlonjat i këngës së bukur të Vlorës, t'i
thoshte njëherë e përgjithmonë "Lamtumirë" qytetit të saj të dashur dhe
spektatorëve të mrekullueshëm vlonjatë që e duartrokitën me aq dashuri, për të
"fluturuar" në strehën e saj të re, në qytetin Kukës. Në strehën e saj të re, në
Kuksin e ri, Kleopatra do të quhej me mbiemrin Dokle.
Askush s'do ta besonte që "bilbili" i Vlorës do këndonte me aq mjeshtëri edhe
këngët e bukura të Kukësit.
Kleopatra Dokle, si mjeshtre e këngës, diti t'i përshtatej shumë bukur edhe
këngëve me çifteli të shoqëruara nga daullet dhe tumpanet dhe veglat e tjera
muzikore. Kjo bëri që Kleopatra Dokle të pëlqehej dhe të ndjente ngrohtësi tek
spektatori kuksian, duke u quajtur edhe bilbili i këngëve kuksiane.
Repertori i këngëtares Kleopatra Dokle është i madh dhe i larmishëm. Ajo është
mjeshtre e të kënduarit këngët e ndryshme nga të gjitha trevat e shqiptarisë.
Në vitin 1987 kam rastisur në Shkodër dhe e kam parë në sallën e Teatrit
Migjeni kur Keopatra Dokle u paraqit me koncertin e saj recital. Në atë koncert
ajo këndoi pandërprerje 25 këngë.
"Ala emnin s'ta kam xan" dhe këngë të tjera shkodrane dhe nga rrethet e
ndryshme të vendit që ajo interpretoi, gjatë gjithë kohës u shoqëruan me
duartrokitje nga spektatori shkodran.
Në karierën e saj të gjatë e të sukseshme si artiste, këngëtare profesioniste,
Kleopatra Dokle është vlerësuar me çmime dhe medalje të ndryshme, në
festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Edhe tani pas kaq vitesh, zëri i saj kumbues dhe melodioz është njësoj, si
atëherë.
Faleminderit Kleopatra Dokle dhe gjithë artistët e tjerë, për gjithçka keni bërë në
udhën e gjatë e të bukur të këngës së pavdekshme shqiptare.
Merritoni nderim, mirënjohje, respekt