













Profesor Sami Repishti njeriu që dëshmon për ferrin komunist
Bisedoi Këze (Kozeta) Zylo
Botoi gazeta “Illyria”
Profesor Sami Repishti është figurë e ndritur e Kombit shqiptar, ai është dëshmitar
okular i ferrit komunist, ku për pasojë u burgos me vite të tëra, në Shqipërinë komuniste (1946-
56), dhe Jugosllavinë komuniste (1959-60). Këtë kalvar vuajtje e hoqën mbi shpinën e tyre
dhe familja e tij e shumëvuajtur. Si një intelektual erudit, ai me shkrimet e tij ka dhënë një
kontribut të vyer në publicistikë, letërsi dhe politikë. Mesazhet që përcjell herë pas here per
Shqiperine dhe Kosoven, janë të qarta, si para auditorit amerikan e deri në shtepinë e Bardhë,
ai shpreson, se një ditë do të vijë demokracia e vërtetë dhe Liria e plotë në Mëmëdheun tonë
të shumëvuajtur dhe për të gjithë familjen njerëzore…një dhe e pandarë!
Profesor Repishti, ju jeni një prej viktimave të terrorit komunist, si ish i burgosur i atij regjimi c’
mund t’ju thoni lexuesve të shumtë, për vitet tuaja në burgjet famëkeqe të Shqipërisë?
Kam qenë viktimë koshiente e terrorit komunist në Shqipëni. Kam kundërshtuar me
bindje regjimin komunist që në ditët e para, sepse që në fillim “Shteti” filloi shtypjen dhe ushtroi
terrorin. Kam dëshmuar arrestime, burgosje, ekzekutime publike pa gjyq, dhe atmosferën e
frikës që krijon cdo terror, pavarësisht nga ngjyra. Jam nji deshmitar okular. Arsyeja e dytë e
revoltimit dhe e veprimtarisë anti-qeveritare ishte atmosfera thellësisht kundërshtare e
popullsisë së Shkodrës, qytet dhe fshatra. Kjo atmosferë u acarua akoma më shumë në
muajtë e parë të vitit 1945, me persekutimet sistematike të klerit katolik shqiptar, me qendër në
Shkodër. Shpresa e qeverisë komuniste se me persekutimin e klerit katolik do të fitonte
“simpatinë” e pjesës myslimane u shua me shpejtësi, dhe u zëvendsua me nji frymë solidariteti
qytetar shkodran që u revelue ma vonë gjatë gjyqeve të vazhdueshme, ku të akuzuarit ishin
myslimanë e katolikë. Kjo atmosferë ka orientuar edhe veprimtarinë time. Arsyeja e tretë ka
nji dozë naiviteti djaloshar. Shpresonim se “Aleatët e mëdhenj” anglo-amerikanë do të
ndërhynin diplomatikisht për të dënuar regjimin e posavendosur, dhe te krijonin kondita për nje
zhvillim demokratik të vendit, e të shoqënisë shqiptare. Kjo nuk ngjau! Europa ishte e lodhur
nga Lufta e dytë Botërore, dhe kishte nevojë për rindërtim të vendeve të shkatërruara nga
lufta, Shqipëria hyri nën tutelën jugosllave të shokut Tito, i cili ishte nje satelit i B.S. dhe
Stalinit. Shqipëria ishte kështu sub-satelit i kampit socialist. Në këtë pozitë nënshtrimi të plotë,
Shqipëria nuk kishte konditat e nevojshme për të vepruar lirisht. Ajo u bind verbërisht
instruksioneve të Beogradit, i cili kishte planet e tia “imperialiste” ndaj Shqipërisë: kolonizimin e
vendit politikisht, ekonomikisht, dhe sllavizimin e shoqënisë shqiptare, si dhe zgjidhjen e
përhershme të problemit të Kosovës, mundësisht me inkorporimin e Shqipërisë në Jugosllavi
në formën e nji republike të shtatë jugosllave. Nji skenar i këtillë i tmerrshëm, natyrisht
lehtësonte punën tonë propagandistike “kundër pushtetit”, dhe gjente jehonë të madhe në
popullsinë e Shkodrës, një qytet me histori shekullore konfliktesh kundër sulmeve sllave (serbe
e malazeze). Por “MOMENTI” politik ishte kundër nesh. Pika kulmore e pakënaqësisë së
përgjithshme u arrit më 9 shtator 1946, kur fshatarët e Postribes (në rrethe të Shkodrës)
sulmuan me armë qytetin, luftuan nëpër rrugët e qytetit, por u thyen me humbje të mëdha. Si
rrjedhim, filloi vala e ekzekutimeve pa gjyq, dhe e arrestimeve masive në qytet e rrethe.
Viktimat e pushkatuara ishin më shumë se 100, ndërsa numri i të arrestuemve, sidomos në
qytet, kaloi shifrën 1.200 të ndryme në 11 burgjet e Shkodrës. Në këtë valë terrori u përfshiva
edhe unë, së bashku me një grup studentësh aktivë. Torturat e përdoruna kundër “armiqve të
popullit” nuk mund të përshkruhen. Disa të arrestuar kryen vetëvrasje duke mos duruar
dhimbjet. Shume të tjerë u sakatuen për jetë. Pjesa tjetër, përfshi edhe mua, kaluan 14 muaj
në hetuesi, para se të dilnin në gjyqe -të hapura dhe të fshehta- ku dënimet jepeshin simbas
udhëzimeve të organeve partiake. Kjo shkelje kaq flagrante e ligjit ishte “norma” e vendosur
nga “diktatura e proletariatit”. Unë u dënova, më 27 nëntor 1947, me 15 vjet burgim të rëndë
e punë të detyrueshme. Nga ky dënim kam vuajtur 10 vjet në burgun e Shkodrës, dhe kampet
e shfarosjes së Bedenit e Maliqit, dhe në kënetat e Myzeqesë, aerodromin e Beratit dhe të
Rinasit(Tiranë) nga ku jam liruar (1956). Trajtimi ynë nga rojet në burgje ka qenë thjesht
shtazarak. Asnji ligj nuk mbronte të burgosurit që ishin lanë në mëshirën e oficerëve kriminelë
dhe rojeve të kuqe të indoktrinueme, e të egërsuar nga “edukimi i propagandës ditore” të
dhënë nga komisarët politikë, dhe njekohesisht viktimë e nivelit tyre shumë të ulët arsimor
(shumë ishin analfabetë). Ata urrenin me gjithë shpirt “shkollarët armiq të popullit e të
partisë”. Deri në vitin 1951 kemi pasë vetëm nji racion bukë për 24 orë. Mbas viti 1951 na
kanë ushqyer me supë fasulesh pa asnji ndryshim me muaj të gjatë. Në kampe kishin patate,
fasule dhe lakra të ziera me ujë e kripë, dhe pothuajse pa vaj. Ky ushqim vrau dhe sëmuri
shumë të burgosur, sidomos pleqtë. Terrori i kampit është vështirë të spjegohet: i përditshëm,
që në mëngjes deri në darkë. Nga një herë, edhe nata kalohej jashtë, të lidhur për peme ose
shtylla druri. Puna ishte e rëndë, norma e lartë, konditat shumë të vështira, dhe nën frikën e
kamxhikut të rojeve që e përdornin pa mëshirë. Ne punonim në uje të moçaleve deri në brez,
me shushunja që na pinin gjakun. Një trajtim më të egër se të tjerët kishin “shkollarët armiq të
popullit e të partisë” që kishin “helmuar mendjet e fshatarëve të varfër”. Çdo mbrëmje,
rreshtat e gjatë të sëmurëve, pleqve dhe atyre që nuk kishin fuqi të mjaftueshme për punë e
që nuk plotësonin “normën“ nuk lejoheshin për të marrë racionin e bukës as për të shkuar në
krevat deri në mesnatë. Të nesërmen, të këputur nga uria e nga pagjumësia ktheheshin në
kanal me këmbënguljen e atij që kërkon plotësimin e “normës“ për të siguruar bukën e gojës.
Ka mjaft libra të botuar në Shqiperi që tregojnë me hollësi këtë regjim tmerri në burgje dhe
kampe, disa herë në përpjestime të pabesueshme, por të shumtën e rasteve të paaftë për të
përshkruar si duhet monstruozitetin e diktaturës. Më kujtohet një tregim i kampeve naziste. Nji
i burgosur i lutej rojes naziste ta vrasë se nuk duronte torturat. Roja qeshte dhe thoshte: Jo! ”
Duhet të jetosh e të tregosh atë që ke parë,” vazhdonte roja,” dhe jam i sigurt se bota nuk do
të besoj tregimin tënd. Atëhere, do të jete vdekja e vërtetë për ty”. E pabesueshme!
Ç’ju detyroi ju në atë udhëkryq ku ndodhej Shqipëria, të ktheheshit në Atdhe, kur ju mund të
bënit një jetë shumë më komode, në Itali?
U ktheva në Shqipëri për të ndihmuar rezistencën kundër okupatorit. Si çdo i ri (në moshën 18-
19 vjecare) sidomos një i ri me arsim të lartë, isha i bindur se atje në malet e Shqipërisë ishte
vendi im. Qëndrimi në Itali u bë moralisht i padurueshëm. Njëkohësisht, mosnjohja e realitetit
shqiptar ndihmoi në formimin e nji bindje të këtillë. Personalisht, isha i ndarë në mes bindjes
sime, se Shqipëria kishte nevojë për kuadro të arsimuar në Europë që të ndihmohej zhvillimi
ekonomik e shoqëror i saj; nga ana tjeter, Italia ishte një shtet okupator i vendit tim, dhe ishte
detyra e të gjithëve ta luftojmë pa kompromis. Qëndrimi im në Itali, në fakt, ishte nji formë
kompromisi që nuk mund ta pranoja më gjatë. Kështu që vendosa të kthehem posa kalova
provimet e vitit të parë, qershor 1943.
Ju në botën çnjerëzore të burgut u takuat dhe me dashurinë, me viktimat e atij sistemi, por që
me botën e tyre të pasur shpirtërore, ju e mundët kërcënimin e vdekjes, si ndiheni për këtë?
Në “boten çnjerëzore të burgut”aty ku fshihet tortura dhe ku sundon pa ndërprerje kërcënimi i
vdekjes, të gjithë ndihen të dënuar me vdekje. Një ndjenjë njerëzore që dashuron jetën, e
përbuzë vdekjen, është dominante në situata të këtilla. Kjo ndjenjë e përbashkët e rrezikut
iminent nxitë mëshirën dhe dashurinë për njeri tjetrin, dhe të të gjithëve për çdonjerin individ
që vuan: viktimën. Kjo ndjenjë njihet me emrin solidaritet.: solidariteti i të dënuareve me
vdekje, i të torturuarëve, i të përbuzurve, i të përndjekurve, i të gjithë atyre që keqtrajtohen
ose e ndjejnë veten “më pak se njeri”, inferior, qytetar të dorës së dytë, të nxjerrur jashtë
kufijve të shoqërisë njerëzore. Solidariteti i të burgosurve është ilaçi i mbijetesës. Jo vetëm
sepse në shoqëri me të tjerët bashkëvuajtës, solidariteti largon mjerimin e vetmisë mbytëse,
por solidariteti ofron mundësine për të ndihmuar tjetrin, vllaun në vuajtje, dhe ky akt lartëson
sedrën personale të të burgosurit, ai jep si të thuash, nje dimension të ri arsyes për të
mbijetuar me nje sens krenarie të pakrahasueshme.
Persekutoret akoma nuk e kanë pranuar fajin publikisht, për toturat që u bënin të dënuarve,
internuarve, syrgjynosurve, a ju frikëson kjo gjendje fluide dhe pse?
Po, frikësohem. Mosnjohja e mospranimi i krimit-fajit nga fajtori nuk ndihmon procesin e
“catharsis” që ngjet në situata të këtilla. Nji zhvillim fatkeq lejon HARRESEN, që në këto raste
për mua, është vdekja e dytë e viktimës. Aty ku mbretëron errësira, aty kultivohet krimi.
Breznitë e reja po rriten pa njohë të vërtetën mbi sistemet totalitare, mendimet dhe aktet e tyre,
e sidomos shkatërrimin e pariparueshëm të pëlhurës shoqërore të vendit. Diktatura komuniste
në Shqipëri ka vrarë elitën, ka toleruar mediokritetin, dhe ka lartësuar fundrritë e shoqërisë.
Fibra morale e kësaj shoqërie është dëmtuar aq rëndë sa që sot mendohet për së mbrapshti,
dhe punohet pa asnji skrupull moral. Nje brezni e tërë eshtë humbur, dhe kam frikë se edhe
nje tjeter e dytë do të sakrifikohet në llumin që mbuloi vendin për nje gjysme shekulli.
A mendonit në burg se një ditë do të vinte “Dita e Lirisë”, dhe a kishit plane për këtë Ditë të
madhe në mendjen tuaj në fshehtësi, me bashkëvuajtësit tuaj?
Po! Shpresa për lirim nga burgu është e përhershme tek cdo i burgosur. Ajo na mbante të
gjallë. “Ditën e lirisë” e prisnim të vinte me lëkundje sismike në vendin tonë. Ndërtesa
komuniste dukej e fortë në sipërfaqe, por ajo përmbante nji seri kontradiktash të
paevitueshme, karakteristike për çdo diktaturë. Njeriu i shtypur lufton për liri, dhe kurdo herë
që i jepet rasti ai, ose ajo, shpërthen. Në shumë raste elemente të diktaturës kanë brejtje
ndërgjegje, humbin enthusiasmin fillestar “revolucionar’, pendohen dhe kërkojnë per te
reparuar dëmin e shkaktuar për të ndihmuar viktimat. Kjo është një karakteristikë universale.
Këtë proces e kemi parë edhe në Shqipëri- edhe në burg. “Planet për të ardhmen e vendit
tonë” kanë qenë subjekti kryesor i çdo bisedimi në burg. Ka pasë mjaft ndasi në opinionet e të
burgosurve të edukuar, sidomos tek ata që kishin “bagazhe” të së kaluares në kurriz. Por të
rinjtë idealistë e pa “bagazhe’ ishin entuziastë se do të vinte dita kur mendja dhe aftësia e tyre
do të viheshin në shërbim të atdheut. Unë kam ëndërruar gjithëherë nje Shqipëri të lirë, të
pavarur, demokratike, të bashkuar dhe perëndimore (tani europiane). Përgatitja ime arsimore
dhe edukimi politik para, dhe gjatë burgut më kanë kondicionue për nje qëndrim të këtille.
Akoma sot, mendoj si më parë. Idealizëm djaloshar? Ndoshta! Por nuk mund të heq dorë nga
ai qëndrim, sepse për mue do të ishte vdekja ime morale. Kjo ndoshta shkakton edhe
pesimizmin tim sot me klasën politike shqiptare e gjendjen në Shqipëri.
Në ato skuta të errta nëntokësore a kishte ndonjë ushtarak, që dhe pse mbante kërbaçin në
dore së jashtmi, shpirti dhe sytë i flisnin diçka tjetër?
Po! Ka pasë “qënie njerëzore” në burgjet komuniste. Më kujtohet “Reshter Jonuzi nga Berati”
dhe nji kapter nga Vlora (emni nuk më kujtohet) që kanë rrezikuar shumë për të na ndihmuar
në ditë të vështira. Është e papërshkrueshme ndjenja e lehtësimit që mbush zemrën e të
burgosurit kur “polici’, ose “oficeri” nuk zbaton urdhërat e superiorit për torturë. Aty duket
sikur ushqehet shpresa se ka akoma zemër-bardhë në këtë botë të së keqes, ku ata “që i ka
zënë rreziku” e në kondita të vështira rrezikojnë jetën e tyre për të lehtësuar vuajtjet e të
tjerëve. Elementë të këtillë ngjallin besimin në mirësinë e natyrës njerëzore…edhe në konditat
më anti-njerëzore.
Ju keni qenë direkt punëtor krahu në tharjen e Kënetës së Maliqit, në ç’kushte punonit atje?
Është e vështirë të përshkruhet Maliqi. Është shkruar diçka për këtë “njollë të zezë” të
historisë sonë. Maliqi ka qenë nji kamp punë cfarosje, ku shqiptari vritej nga shqiptari me
urdhër nga “shoku Tito” në Beograd - e vritej me dru, me hekur, me mbytje në ujin e kënetës,
me urim, me pagjumësi, me punë jashtë fuqive njerëzore, me çveshje lakuriq në netët e ftohta,
ose i lidhun për shtylle etj. Perveç kësaj, komanda e kampit, nxiste të burgosurit ordinerë, një
ushtri e vërtetë elementësh të degjeneruar, si dhe ish komunistë të penduar, për të spiunuar,
provokuar, dhe rrahur të burgosunit politikë. Kjo na detyroi të mbrohemi kolektivisht dhe të
frikësojmë me hakmarrje sulmuesit.
Si i shpëtuat atij regjimi, dhe si e realizuat ëndrrën tuaj për të shkelur tokën e bekuar
Amerikën?
Që nga dita e lirimit nga burgu (korrik 1956) deri në ditën e largimit pa entuziasëm nga toka-
nënë (gusht 1959), kam qenë i përbuzur e i përndjekur nga Sigurimi (kam zbuluar dy agjentët
që më kanë survejuar). Tre ditë para largimit, një shok që punonte në Polici me njoftoi se isha
në listë për arrestim. Kontaktova nji ish shok burgu që kishte shtepinë afër kufirit dhe
vendosëm datën e mënyrën e arratisjes. Ai më ndihmoj në udhëtim deri sa kalova kufirin pa
asnjë incident. (Ma vonë, ai u vra në tentativë arratisje). Një experiencë të këtillë e kam pasë
edhe në tetor 1956, gjatë revolucionit hungarez. Ai më njoftoi se isha njeri nga të 400
personat e caktuar për ekzekutim në rast se fillonte revolucioni në Shqipëri. Në Jugosllavi jam
mbajtur një vjet në burg i akuzuar si “pro-perëndimor”. Më vonë në kampe refugjatesh në
Jugosllavi dhe Itali, ku kam aplikuar për azil politik dhe të drejtën për emigrim në SHBA. Për fat
kërkesa ime është aprovuar brenda 24 orëve. Kam arritur në New York më 9 prill 1962. Kam
marr nënshtetësinë amerikane në janar 1969.
Gjatë qëndrimit në Amerikë, kishit kontakte me familjen?
Vetëm deri në vitin 1967. Më vonë jo. Edhe kjo gjendje ka qenë nji torturë e vërtetë, sidomos
për arsye të nanës plakë që vdiq pa e parë përsëri. Gjithashtu u këput edhe ndihma
financiare që dërgoja cdo muaj-për bukën e gojës!
Dhe tani një pyetje intime, në kohën që ishit student në Itali, kishit ndonjë të dashur atje, dhe
cili ishte premtimi juaj kur u ndatë nga ajo?
Gjatë jetës studenteske kam qenë “miu i librave”. Nuk kam përballuar situata emocionalisht të
vështira…
Ju keni dëshmuar herë pas here për krimet monstruoze të diktaturës komuniste para auditorit
amerikan, ashtu edhe në qarqet zyrtare federale, deri në Shtëpi të Bardhë, keni hasur ndonjë
reagim negativ nga politikanët amerikanë?
Jo! Përkundrazi. Administrata amerikane e ka njohë mirë gjendjen në Shqipëri, sidomos nga
raportet e ambasadave franceze dhe italiane në Tiranë. Unë kam bashkëpunuar ngushtë me
Amnesty International për të drejtat e njeriut, dhe kam ndjekur për së afërmi zhvillimin e
gjendjes në Shqipëri.
Cilat kanë qenë disa nga takimet tuaja me elitën e Diasporës, ku ju keni debutuar për vite të
tëra si President i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, për çështjen Kombëtare, dhe cilat
janë simpoziumet e organizuara nga ju për Kosovën para Pavarësisë së saj?
Kontaktet për Kosovën me “elitën” shqiptare në SHBA kanë filluar sidomos mbas
demonstratave të 1968-s në Prishtinë, problemi i Kosovës ka zënë vendin e parë në
veprimtarinë time. Une kam dëshmuar në Kongres që në prill 1965, dhe besoj të jem i pari
shqiptar. Ka dy arsye që Kosova ka zanë vendin e parë:
E para, Shqipëria komuniste ishte shtet i pavarur dhe anëtare e OKB.-s. Pavarësia dhe
integriteti tokësor ishin të siguruara nga Bashkësia ndërkombëtare. Po të binte komunizmi,
Shqipëria do të bëhej edhe e lirë, dhe natyrisht e pavarur si një shtet i njohur
ndërkombëtarisht. Kosova kishte dy “armiq”: kommunizmin dhe serbin. Po të binte komunizmi,
Kosova do të mbetej nën Serbinë. Prandej, ne duhej të përqëndroheshim në Kosovë, me
qëllim që ta ndihmojmë në rast të përmbysjes së komunizmit në Jugosllavi. Kjo diagnozë
politike doli me vend, dhe puna jonë për Kosovën vazhdoi deri në Pavarësi, dhe tani me
përkrahje për forcimin e shtetit të ri. E dyta, ka qenë arsye personale. Familja ime ka qenë e
internuar në Berat dhe Veliqot të Tepelenës. Ka ekzistuar nji legjislacion komunist që nuk
lejonte amnesti për ata që dergohen në kamp për të dytën herë. Kjo don të thonte se çdo
aktivitet i imi i hapët kundër komunistëve shqiptarë do të dërgonte familjen në kamp. Nji
konsekuencë e këtill nuk justifikohej me aksionin tim, dhe për mua ishte imorale të sakrifikoja
familijen për aktet e mia. Për këtë edhe sot jam i bindur se vlerësimi im i situatës në atë kohë
ka qenë korrekt. Arsyeja dhe ndërgjegja ime më imponuan orientimin e veprimtarisë sime.
Simpoziume e konferenca për Kosovën kemi bërë pothuajse çdo vit. Ajo më e rëndësishmja
ka qenë Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën, 2 nëntor 1982, ne Graduate Center of the
C.U.N.Y. e organizuar nga Prof. Arshi Pipa dhe unë. Morën pjesë 14 profesorë europianë e
amerikanë, të cilët folën, pa përjashtim në mbrojtje të Kosovës. Studimet e tyne u botuan në
Studies on Kosova (Col.Univ.Press:1984) Po aq me rëndesi janë edhe dëshmitë para
Kongresit dhe raportet për Departmentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë. Në ato vite, ne
“perfaqsonim” Kosovën në botën e jashtme.
Ju jeni takuar personalisht me Presidentin Rugova, cilat janë disa nga momentet më të
rëndësishme që kini fiksuar në memorjen tuaj për këtë Kalorës të Lirisë?
Herën e parë jam takuar me Dr.Ibrahim Rugoven në prill 1990, në Washington,D.C. Nga
Kosova erdhën dy grupe:shqiptare dhe serbe me paraqitë pikëpamjet e tyre. Më vonë
kontaktet tona kanë qenë të vazhdueshme, dhe kemi pasë bashkëpunim të ngushtë. Në
shtator 1986 unë kërkova hapjen e nji Zyre Informative Amerikane në Prishtinë. Kërkesa u
refuzua “për mungesë fondesh”. Ajo u hap në 1996, dhe më vonë u bë Ambasada Amerikane
në Kosovë. Kërkesa ime u kundërshtue egërsisht nga Qeveria komuniste e Shqipërisë, e cila
përpiqej të mbante nën kontroll cdo inisiative që kishte të bënte me Kosovën. Me këtë rast
mora nji letër falënderimi nga Dr. Rugova, dhe në 2005 :“Medaljen e Artë të Lidhjes së
Prizrenit”. E ndjej shumë mungesën e tij.
Si profesor i doktoruar për letërsinë franceze ç’mendim keni në lidhje me kontributin e
Kadaresë për Kombin dhe Letërsinë?
Z. Ismail Kadare ashtë padyshim shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe e që jeton. Uroj që vlera
e tij të njihet dhe të çmohet edhe më shumë në botën e jashtme, dhe nga institucionet
ndërkombëtare prestigjioze. Në Francë ai adhurohet.
Ju keni punuar një kohë të gjatë si professor në disa shkolla të mesme dhe universitete të
Amerikës, çfarë ndryshimi keni vënë re midis edukimit europian, pra universitetit në Itali ku ju
studjuat dhe sistemit arsimor amerikan?
Kjo është nje pyetje që kërkon spjegime të gjëra. Shkurtimisht, arsimi në Amerikë, ka një
karakteristikë të vetën. Nxënësit e shkollave fillore e të mesme nuk janë nën trysninë e
familjeve për të studjuar vazhdimisht, siç është rasti në Europë, e sidomos në Lindjen e Largët.
Puna e vërtetë fillon në universitet. Këtu theksohet nevoja e zhvillimit emocional e shoqëror të
të rinjve, të cilëve “nuk u grabitet rinia” me punë të rëndë në shkollë. Karakteristika e arsimit
amerikan është fryma e lirë në klasë ku mësuesi e nxënësi shkëmbejnë lirisht mendimet e
tyne. Ekziston nji tendencë me orientue nxënësin drejt “kërkimit”, pyetjeve të vazhdueshme,
dhe për gjithçka, për të kënaqur kurreshtjen jo vetëm për dije formale, por edhe për aspekte të
jetës së përditshme. Në mbarim të gjimnazit, nxënesit europianë kanë akumuluar një sasi më
të madhe faktesh; por, nxënesit amerikanë kanë nji horizont më të gjerë, mendojnë më
sistematikisht, dhe shprehen më lirisht për problemet që ballafaqojnë. Në universitet studimi
bëhet rigoroz, më sistematik dhe ofron të rejat e fundit të shkencës artit e letërsisë. Këu në
Amerikë ekziston edhe sistemi i “shkollave të zgjedhura” si të mesme ashtu edhe universitete
për studentë të dalluar. Shumica e elitës amerikane përgatitet në këto “shkolla” dhe janë të
aftë për udhëheqje.
Ju keni qenë vazhdimisht për hapjen e dosjeve, a mendoni se hapja e tyre do të bëhet në
rrugë të ndershme nga Partia në Pushtet?
Procesi i hapjes së dosjeve të komunizmit është i nevojshëm dhe i paevitueshëm. Duhet të
ndezim dritën mbi dhomat e errëta të diktaturës. Duhet të dalë në shesh e vërteta. Duhet të
njohim historinë tonë. Duhet të dimë qëndrimin e shoqënise sonë. Dhe, duhet të peshojmë
aktet barbare që u bënë në kurriz të popullit tonë, të dimë thellësine e masën e krimit, të
reflektojmë sa poshtë ka ra shoqëria shqiptare, dhe si rrjedhim të mësojmë sa poshtë mund të
bjerë shoqeria shqiptare në disa kondita të caktuara. E gjithë kjo nuk ka farë të bëjë me
dënime e hakmarrje. Hakmarrja është nji kancer që shkatërron ata që e ushqejnë. Por ne
duhet të informohemi mbi të gjitha, të mësojmë nga pësimet e së kaluarës, të dënojmë pa
kushte, pa hezitim, pa rezerva “të keqen” që vret, që çnjerëzon, dhe që shkatërron lirinë e
dinjitetin e çdo qënie njerëzore, pavarësisht nga bindja politike, gjinia, shtresa shoqënore,
cilësitë fizike etj. Hapja e dosjeve na ndihmon në këtë proces informimi të së ardhmes sonë.
Përsa kohë që ekzistojnë “hije të zeza” që qëndrojnë mbi kokat tona, shoqëria shqiptare do të
lëngojë nga sëmundja e frikës dhe mania e persekutimit. Nuk besoj se klasa politike në
Shqipëri ka vullnetin, aftësinë dhe gatishmerinë për nje proces të këtillë.
Cila është familja juaj dhe si u njohët me bashkëshorten tuaj fisnike, znj.Diana Chipi?
Jam kryetar i nje familje të lumtur. Bashkëshortja ime, Diana, ka lindur në Amerikë nga prind
gjirokastritë, e flet shqip. Jemi njohur me ndërmjetësinë e të ndjerit Prof.Nexhat Peshkëpia,
intelektual me karakter, dhe mik i të dyve. Jemi martuar në gusht 1964 dhe kemi dy femijë:
Daren, mjek i martuar me tre femijë; dhe Ava (mban emrin e nënës) avokate, e martuar me dy
fëmijë. Si gjysh dhe gjyshe jemi nji çift i lumtur me shtëpinë plot.
Së fundi a shpresoni se tragjedia juaj kolektive siç e cilësoni në librin tuaj: “Në hijen e
Rozafës”, do të jetë më së fundmi një frymëzim për një kryqëzatë kundër torturës?
Nuk jam i sigurtë në se shoqëria shqiptare ka mësuar nga e kaluara. Ajo që më inkurajon
është se Shqipëria po ecen drejt qytetërimit perëndimor, që sot është Europë e bashkuar.
Dokumentet ndërkombëtare që ka firmosur shteti shqiptar përjashtojnë me përbuzje torturën.
Vetëm nje situatë e papritur e paimagjinueshme mund të sjellë torturën e zyrtarizuar.
Individualisht? Nuk jam i sigurt. Jemi akoma të paedukuar.
Forumi mbarëkombëtar "Alb-Shkenca" ju vlerësoi me titullin më të lartë, si anëtar nderi i Alb-
Shkencës, aty ju jeni dhe një anëtar aktiv i saj, si e çmoni këtë forum?
Instituti Alb-shkenca është nje grup shkollarësh shqiptarë, shumica të edukuar në universitete
perëndimore dhe tani me shërbime në institucione universitare, ose qendra kërkimesh nëpër
botë. Qëllimi i tyre është të bashkohen në nji “tryezë të rrumbullakët” dhe me anë të Internetit
të hetojnë, të diskutojnë, dhe mundësisht të keshillojnë autoritet shqiptare në Shqipëri e
Kosovo mbi rrugën më të përshtatshme për të zgjidhur problemet që paraqiten sot në
hapësinën shqiptare në Ballkan. Qëllimi është i mire, dedikimi është për të lavdëruar dhe
puna që bëhet është në nivel të kënaqshëm. Sigurisht, ka të metat e fillimit, por ka gjithashtu
edhe premtimin e një të ardhme më të ndritur. Une jam kryelartë që kolegët e Institutit më
kanë dhënë titullin “Anëtar Nderi” dhe do të përpiqem ta meritoj.
Ju faleminderit për intervistën, prof.Repishti!
Ishte kënaqësia ime zonja Zylo, për këtë intervistë!
NY, 2009